Shkolla e Magjistraturës, më datë 15 nëntor 2024, zhvillon aktivitetin trajnues me temë: “Vlerësimi etiko profesional i magjistratëve. Dallimi ndërmjet shkeljeve në kuadër të vlerësimit etiko profesional nga shkeljet me karakter disiplinor”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet drejtohet nga:
Ekspertë: Marsida Xhaferllari, Vojsava Osmanaj
Lehtësues: Anjeza Buzo
Qëllimi i këtij trajnimi është: Zhvillimi dhe përditësimi i njohurive mbi konceptet kushtetuese dhe ligjore për vlerësimin profesional të magjistratëve.
Trajnimi do të realizohet duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues do të trajtohen tema të ndryshme, si:
- Vështrim historik dhe krahasues i vlerësimit profesional të magjistratëve. Ndryshimi i procesit të vlerësimit profesional nga analizat vjetore të gjykatave, nga hetimi disiplinor dhe vlerësimi kalimtar;
- Ankimi kushtetues individual ndaj vlerësimit profesional. Raste praktike dhe standardet kushtetuese të zhvilluara nga Gjykata Kushtetuese;
- Qëllimi, fusha e zbatimit, parimet, kriteret matëse dhe procedura e vlerësimit profesional të magjistratëve. Dallimi i shkeljeve profesionale nga shkeljet disiplinore;
- Ankimi gjyqësor ndaj vlerësimit profesional. Raste praktike dhe standardet ligjore të zhvilluara nga Gjykata e Lartë;
- Paraqitje e situatës aktuale të vlerësimit profesional të magjistratëve, me fokus problematikat praktike të procesit;
Në këtë aktivitet trajnues marrin pjesë gjyqtarë, prokurorë, inspektorë/ndihmës inspektorë nga ILD, të Republikës së Shqipërisë.